Homologimi individual i automjeteve të ndryshuara (modifikuara)
Trajton:
• automjetet që i nënshtrohen modifikimit ose zëvendësimit të një pjese serike,
• pjesët dhe pajisjet që zëvendësohen me pjesë jo-serike,
• rimodelimin e automjeteve duke instaluar një pajisje shtesë,
• automjetet për të cilat nuk dihen të dhënat teknike të nevojshme për kontrollim teknik dhe regjistrim të automjetit,
• pajisjet e dedikuara për instalim në automjete e që janë të rëndësishme për sigurinë dhe përshtatshmërinë ekologjike të automjeteve në trafikun rrugor.
• ndryshimet tjera tekniko-vizuale.
Me fjalë tjera trajton automjetet të cilat kanë pësuar ndryshime teknike të caktuara dhe si rrjedhim i këtyre ndryshimeve ka ardhur deri te ndryshimi i karakteristikave teknike të atyre automjeteve dhe lajmërohet mospërputhje në relacionin automjet – CRA (certifikata e regjistrimit të automjetit), automjet – DUD etj.
Kur automjetet e tilla të hasen në trafik ose gjatë kontrollimit teknik në QKTA, duhet të drejtohen për në Qendrën e homologimit individual të automjeteteve të modifikuara për tu verifikuar nëse ato modifikime janë bërë sipas normave. Në qendrën e homologimit individual kontrollohet nëse karakteristikat teknike të automjeteve dhe pjesët dhe pajisjet e tyre janë në pajtim me rregulloret dhe normat respektivisht nëse ato janë inspektuar dhe homologuar sipas rregullave. Pas kryerjes së inspektimit në bazë të të dhënave të mbledhura mirret vendimi për lëshimin ose jo të pëlqimit për ndryshimet e bëra në automjet.
VËREJTJE: Modifikimet/ndryshimet në automjetet e prodhuara në mënyrë serike duhet të kryhen në atë mënyrë ashtu që automjeti të mos sillet në gjendje më të keqe të sigurisë se automjeti i prodhuar në mënyrë serike.
Në vendin tonë procedurat për kryerjen e homologimit individual të automjeteve të ndryshuara i përcakton Ligji Nr. 05/L-132 PËR AUTOMJETE dhe Udhëzimi Administrativ (MI) Nr. 2/2018 për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore.