Kontrollimi teknik i automjeteve është një procedurë e obligueshme ligjore e cila kryhet për të gjitha automjetet respektivisht mjetet të cilat marrin pjesë në qarkullim rrugor, përveq makinave punuese, qerreve tërheqëse dhe biqikletave. Kontrollimi teknik i mjeteve kryhet në bazë të Ligjit mbi sigurinë e trafikut rrugor, ligjit per automjete si dhe udhzimeve administrative mbi kontrollimin teknik të automjeteve, me qëllim të verifikimit të rregullesisë teknike dhe përshtatjes ekologjike të automjeteve.Të gjitha mjetet të cilat importohen në territorin e Republikës së Kosovës, janë të detyruara të kalojnë në kontrollin e parë teknik vjetor së bashku me procedurën inspetimit në import (Homologimit).
Kontrollimi apo inspektimi kryhet me qëllim që të testohet gjendja fizike, mekanike, përforcimi dhe funksionimi i pajimeve, i pajisjeve dhe i elementeve të automjetit. Kontrollimi teknik i automjeteve është veprimtari me rëndësi për interesin e gjithë shoqërisë sonë shikuar nga aspekti i qarkullimit të sigurt në trafik, dhe në mbrojtjen e ambientit nga ndotja. Kontrollimi teknik është obligativ për të gjitha mjetet motorike dhe mjetet bashkangjitëse (rimorkiot) përpos mjeteve motorike që përdoren për punë, gjë që është rregulluar me dispozitat ligjore.
Gjatë kontrollimit teknik kontrollohen të gjitha pajisjet të cilat në mënyrë serike janë instaluar në automjet, pa i demontuar ato. Kjo nënkupton atë që nëse mbikëqyrësi i qendrës për kontrollim teknik vëren ndonjë të metë e cila ka ndikim negativ në sigurinë aktive dhe pasive të automjetit ku në këtë rast është i obliguar që vetëm ta shpall automjetin teknikisht jo në rregull. Për t’iu nënshtruar kontrollimit teknik automjeti duhet të jetë në gjendje të mirë, i pastër dhe pa dëmtime të dukshme. Ajo që çdo pronar i automjetit duhet të bëjë para se ta dërgojë automjetin në kontrollim teknik është kontrollimi preventiv. Kjo nënkupton kontrollimin e atyre pjesëve të cilat janë me rëndësi për qarkullimin e sigurt të tij në trafikun rrugor. Ky kontrollim preventiv bëhet vizualisht dhe manualisht.